
Gjirokastra, qyteti i gurtë i sokakëve, ndërtesave historike, rrugicave të zhurmshme apo dritareve dëshmitare sa e sa historish. Qyteti i shkrimtarit të madh Ismail Kadare që në Kronikën e tij në Gur e përshkruan mjaft bukur këtë qytet. Ai është i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2005, si një nga pak shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit osman.
Qarku i Gjirokastrës është një nga 12 qarqet në Shqipëri dhe ka një sipërfaqe prej 2.884 km². Qarku përfshin shtatë bashki, Gjirokastrën, Tepelenën, Përmetin, Këlcyrën, Dropullin, Libohovën dhe Memaliajn.
Vetë qyteti është i vendosur në faqen e Malit të Gjerë dhe në krahun e majtë të luginës së lumit Drino. Ky është “qyteti i një mijë shkallëve” që përfshin qindra shtëpi-kullë të tipit osman me çatitë dalluese të gurta, ballkonet e drunjta dhe muret e gurta herë-herë të zbardhura me gëlqere. E mbisunduar nga ana e vet prej kalasë madhështore që ngrihet mbi një kodër të thiktë. Qyteti me popullsi 40 000 banorë, është qendra ekonomike e administrative e rrethit me të njëjtin emër.
KULTURA
Qyteti i njohur dhe si Trashëgimi Botërore në UNESCO, është një nga vendet më interesante për t’u vizituar në Shqipëri. Qafa e Pazarit është bërë një pikë atraksioni për mijëra turistë vendas e të huaj, por jo vetëm. Kultura gjirokastrite është në çdo detaj që nga kulinaria tek veshjet. Këto të fundit e shumë të tjera të ekspozuara në Muzeun Etnografik. Kalaja e Gjirokastrës është destinacioni i parë turistik ku rrotullohet historia e qytetit. Jo shumë larg Muzeut Etnografik, ndodhet dhe Shtëpia-Muze e Ismail Kadaresë. Kjo shtëpi mbart vlera jo vetëm si një nga shtëpitë më të vjetra e më mbresëlënëse të qytetit, por edhe për faktin se aty lindi e jetoi shkrimtari shqiptar i mirënjohur në të gjithë botën, kandidati i çmimit Nobel për letërsi, Ismail Kadare. Për ta shijuar plotësisht vizitën këtu, sigurohuni të keni lexuar paraprakisht dhe librin e njohur “Kronikë në gur”, të shkruar nga Kadare në homazh të kujtimeve të tij nga kjo shtëpi e nga ky qytet. Përreth Gjirokastrës ndodhen disa nga atraksionet më të njohura arkeologjike të Shqipërisë, si Parku arkeologjik i Antigonese, Adrianopoli etj.
EKONOMIA
I gjithë qarku ka një popullsi prej 170 mijë banorësh dhe ka në përbërje të shtatë bashkive gati 96 fshatra. Qytetar me të drejtë votë janë 123.270. Nga të dhënat rezulton si qarku me shkallën më të lartë të pjesëmarrjes në forcat e punës. Sektorët që përbëjnë ekonominë e Gjirokastrës janë bujqësia, artizanatsi, blegtoria, hoteleria dhe turizmi. Qarku i Gjirokastrës jo vetëm po tkurret më shpejtësi nga largimi i banorëve dhe sidomos të rinjve, por sipërmarrjet kanë gjithnjë e më tepër vështirësi në treg për punonjës të kualifikuar dhe turizmi dhe trashëgimia kulturore mbeten degë ende me pak ndikim në ekonomi, ndonëse potencialet janë të mëdha. Sfidat kryesore të qarkut janë papunësia, largimi i të rinjve, niveli i lartë i varfërisë, infrastruktura rrugore, plakja e popullsisë dhe shtimi i familjeve me ndihmë ekonomike. Pritshmëritë janë të larta nga vetë qytetarët.
“Në këto zgjedhje presim të vijë më e mira. Të ketë punë. Të na këthehen fëmijët se janë në kurbet se mbetëm vetëm. Unë kam dal këtu të shes, pasi nuk më del 10 mijë lekë nga pensioni”, shprehet një qytetare.
“Presim të bëhet më mirë, të hapet ndonjë vend pune, të ketë pastërti, të ketë drita ujë dhe qetësi”, thotë një qytetar.
“Presim punësim. Gjirokastra ka shumë mangësi. Të hapej një punë për të rinjtë, një fabrikë, një uzinë”, thotë një tjetër qytetare e Gjirokastrës.
Ndër prioritetet e pritshme për zhvillimin e Gjirokastrës janë ajo e turizmit të qëndrueshëm. Por fokusi jo vetëm tek qyteti por dhe në fshatrat përreth ku prioritet është ndërhyrja në infrastrukturën rrugore, garantimi i furnizimit me ujë të pijshëm, mbështetje e bujqësisë dhe blegtorisë. (A2 Televizion)