Homazhe në Moskë: Daria vdiq për Rusinë, luftoni për vendin

Nga A2 CNN
23 Gusht 2022, 14:55 | Bota
Homazhe në Moskë: Daria vdiq për Rusinë, luftoni për

Daria vdiq për rusët dhe për Rusinë. Kështu u shpreh ideologu ultra-nacionalist pro Kremlinit, Aleksandër Dugin në ceremoninë e zhvilluar në homazh të vajzës së tij, e vrarë në një sulm me bombë ditën e shtunë. Aleat i ngushtë i Putinit, i njohur si truri dhe arkitekti i luftës ruse në Ukrainë, tha se vetëm fitorja e Moskës do të justifikonte vdekjen e së bijës.

Ceremonia u mbajt në qendrën televizive Ostakino, ku analistja politike 29-vjeçare, ishte shfaqur së fundmi për të promovuar narrativën e Kremlinit, lidhur me luftën në Ukrainë.

FSB-ja ruse tha të hënën se atentati ishte kryer nga shërbimi sekret ukrainas, dhe ishte ekzekutuar nga një grua, e cila më vonë ishte arratisur në Estoni. Një video e publikuar nga shërbimet e inteligjencës, shfaq atë që sipas pretendimeve është agjentja speciale, e cila kishte hyrë në vend në mesin e korrikut bashkë me të bijën. Presidenti Vladimir Putin i bëri personalisht homazhe Duginës përmes një deklarate të publikuar nga Kremlinit, ku e quajti vrasjen e saj një krim mizor. Por Ukraina mohon kategorikisht përfshirjen në ngjarje dhe sugjeron se varja mund të jetë organizuar nga vetë rrethi i Putinit.

“FSB-ja e ka kryer vrasjen dhe tani po thotë se e kemi bërë ne. Nuk punojmë kështu. Burrat dhe gratë tanë kanë detyra më të rëndësishme”, tha Oleksii Danilov, Sekeretar i Përgjithshëm i Sigurisë Kombëtare.

Televizioni shtetëror rus po i kushton një vëmendje të madhe vrasjes së Darias, duke sugjeruar se Moska po përpiqet të arrijë diçka të caktuar. Mesazhi i fshehur i raportimeve të kontrolluara nga Kremlini është Ukraina, është një shtet terrorist, ndërsa terma si "monstruoz"dhe "cinik" po përdoren gjithë kohës. Pyetja më e rëndësishme është se si do ta shfrytëzojë Rusia vdekjen e Duginës? Në rrjetet sociale, njerëzit po flasin për mundësinë e një ashpërsimi të fushatës kundër zërave opozitarë në vend, ndërsa të tjerë mendojnë se ngjarja mund të çojë në intensifikim të sulmeve në Ukrainë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos