
Njëqind kufoma macesh u zbuluan dje në shtëpinë e një pensionisti që jetonte në Nice, në jug të Francës. Përveç tyre, u gjetën edhe rreth njëzet të tjera të gjalla, por me shëndet të keq.
Kufomat, shumica e të cilave ishin ruajtur në kuti plastike ose druri të mbyllura, u zbuluan pasi 81-vjeçari u shtrua në spital, sipas gazetës Nice-Matin.
Disa shoqata për mbrojtjen e kafshëve u alarmuan nga mbesa e plakut, e cila zbuloi kufomat përreth shtëpisë dhe gjithashtu brenda saj, si dhe mbetjet e ketrave, minjve dhe një nofull qeni.
"Duke marrë parasysh pozicionin në të cilin u gjetën, shumica e maceve ishin të ngordhura kur u vendosën brenda kutive, por ne mendojmë se të paktën dy janë mbyllur të gjalla", tha Philippe Desjacques, president i shoqatës La Tribu France Presse du Fourmilier.
Trupi i një maceje të ngrënë nga macet e tjera u gjet në divanin e shtëpisë.
Njëzet mace të tjera janë gjetur ende të gjalla brenda shtëpisë, por në kushte dramatike shëndetësore. Ato u shpëtuan nga veterinerët dhe vullnetarët.
“Për fat të keq, ka histori të tilla çdo vit”, shpjegon Desjacques, sipas të cilit, pensionisti vuante nga sindroma e Noes, e cila konsiston në mbledhjen e më shumë kafshëve sesa mund të strehojë ose ushqejë siç duhet.
Shoqatat synojnë të paraqesin një ankesë për "keqtrajtim" ose neglizhencë të kafshëve, tha Desjacques. (A2 Televizion)