
Shtetasit nga Ukraina, në tri vitet e fundit, kanë qenë ndër turistët më të shumtë që kanë frekuentuar hotelet e Vlorës e deri në Himarë, gjatë sezonit veror.
Ky fakt pohohet nga vetë kreu i operatorëve turistikë të jugut, i cili shprehet se janë të paktën 25 mijë ukrainas që kanë pushuar në Vlorë dhe përgjatë bregdetit të jugut në vitet e fundit.
Fakti që këtë vit ata pritet të mungojnë për shkak të luftës, i ka shtyrë operatorët turistikë që të shikojnë mundësi për të tërhequr turistë nga vende të tjera.
Por në të njëjtën kohë, ata i janë përgjigjur edhe thirrjeve të disa prej klientëve nga Ukraina, të cilët i kanë kërkuar ndihmë për akomodim e deri për punësim në vendin tonë. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në vendin tonë kanë hyrë disa dhjetëra shtetas ukrainas, të cilët i janë larguar bombave, por pa kërkuar strehim apo akomodim, pasi kanë shfrytëzuar pronat që mund të kenë blerë në bregdet ose kanë marrë apartamente me qira. (A2 Televizion)