Edhe pse një vit pandemik, me shumë të panjohura dhe surpriza të pakëndshme, sërish Korça dhe zonat e saj kryesore turistike, Dardha dhe Voskopoja, janë të preferuarat për shqiptarët. Virusi dhe qarkullimi i tij i dendur këtë dimër, nuk i ka frikësuar njerëzit të prenotojnë. “Prenotimet janë totalisht të mbyllura për Krishtlindjet, po ashtu edhe për 31 dhjetorin dhe ditët në vijim. Prenotimet janë mbyllur që në ditët e para të dhjetorit, jemi të kënaqur”, thotë për A2 Enriketa Koçollari, menaxherja e një hoteli të njohur të zonës. Por, ajo se çfarë i frikëson menaxherët e hoteleve është mundësia e uljes së fashës orare si masë për parandalimin e përhapjes së virusit. “Në qoftë se do të ketë një mbyllje totale, por edhe të pjesshme do të ishte një katastrofë për ne. Kufizimi i orës 8 do të na dëmtonte shumë”, pohon pronari i një hoteli tjetër, Niko Nuke. Duke iu referuar kapaciteteve akomoduese të hoteleve ne Korçë, Dardhë dhe Voskopojë, këtë fundvit në këtë zonë pritet të vijnë për festuar mijëra persona nga zonat e ndryshme të vendit. (A2 Televizion)
Korçë, hotelet plot për festa. Frika e menaxherëve nga shtimi i masave anti-covid
