
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, mban në vëmendje bisedimet me Serbinë. Me anë të një statusi në Facebook, kreu i qeverisë së Prishtinës thekson se nuk ka dialog teknik me Beogradin. “Ka dialog vetëm për marrëveshje finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, shkruan Hoti. Nuk dihet ende nga se është nxitur ky reagim i kryeministrit të Kosovës.
Më herët ai iu përgjigj kritikave të Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me pretendimin se rifillimi I dialogut me Serbinë ishte i nxituar. Hoti nënvizoi se askush nuk duhet të shqetësohet pasi në tavolinën e bisedimeve nuk është më integriteti territorial por vetëm njohja reciproke. Ndërkohë javën e kaluar rinisi dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Takimi i radhës i nivelit të lartë parashikohet të mbahet në shtator. (A2 Televizion)