
Amerika nuk bind kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të ndryshojë qëndrim për veriun. Këtë e pohoi vetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, pas një takimi me shefin e qeverisë, ku bëri të ditur dhe zgjidhjen për rikthimin e qetësisë.
“Ajo që ne besojmë se do të sjellë ulje të tensioneve nuk është sekret, por vjen përmes pajtimit që këta tre kryetarë komunash të punojnë nga lokacione alternative dhe tërheqjes së policisë së Kosovës nga tri ndërtesat komunale”, tha Hovenier.
Diplomati amerikan në Prishtinë kundërshtoi përdorimin e fjalës “sanksione” lidhur me përjashtimin e Kosovës nga stërvitjet e përbashkëta ushtarake me forcat e NATO-s.
“Nuk dua ta përdor atë fjalë. Ka pasur tashmë, siç e kam theksuar, disa pasoja për gjendjen në të cilën jemi. Unë shpresoj se do ta kapërcejmë këtë, kështu që nuk duhet të ketë më pasoja”, shtoi ambasadori.
Më herët, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që në mënyrë urgjente të gjendet një zgjidhje për uljen e tensioneve.
“Më e rëndësishmja është që të dyja palët të ulin tensionet dhe të ndalojnë së ndërmarri veprime të njëanshme. Ne kemi qenë shumë të qartë në shqetësimet tona për disa nga veprimet e fundit që janë ndërmarrë. Këtë ua kemi thënë drejtpërdrejtë liderëve të të dyja palëve, duke përfshirë kryeministrin Kurti”, u shpreh Blinken.
Në reagimet e mëhershme, sekretari Blinken ka fajësuar Kosovën për tensionet në veri, ndërsa kryeministri Kurti i është përgjigjur atij duke thënë se “demokracia nuk i lihet në dorë bandave kriminale”. (A2 Televizion)