Vijojnë grumbullimet në veri, KFOR ruan objektet komunale, serbët: Protestojmë paqësisht

Nga A2 CNN
1 Qershor 2023, 15:23 | Kosova
Vijojnë grumbullimet në veri, KFOR ruan objektet komunale,

Pas telave me gjemba që rrethojnë objektet e komunave, nën masa të shtuara të sigurisë,  trupat e NATO-s qëndrojnë në gatishmëri për të parandaluar çdo shpërthim të mundshëm të tensioneve të reja që kanë përfshirë veriun e Kosovës.

Qytetarët serbe nuk heqin dorë nga grumbullimet para objekteve komunale për të kundërshtuar kryetarët shqiptarë, edhe pse protestat po zhvillohen më qetësisht dhe me pjesëmarrje më të ulët. Pas skenave të dhunës që alarmuan komunitetin ndërkombëtar ditën e hënë në Zveçan, ku mbetën të plagosur rreth 30 ushtarë të KFOR, nga lideri Listës Serbe, vijnë tani thirrje për paqe, e për mbështetje të trupave paqeruajtëse.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kanë protestuar paqësisht gjithë këto ditë të sigurojnë çdo lloj mbështetjeje apo ndihmë ushtarëve të KFOR pasi ata janë atyre për të mbrojtur njerëzit që protestojnë paqësisht”, thotë Goran Rakiç.

Qytetarët sakaq, ankohen se prania e shtuar e trupave ushtarake ka penguar jetën e përditshme në Zveçan.

“Forcat speciale bllokuan qarkullim dhe ata nuk po lejojnë që kamionët tonë të mallrave të transportojnë minerale nga miniera. Rroga jonë del nga ajo që prodhojmë”, shprehet Darko Miljeviç.

“Po jetojmë nën rrethim që të premten. Shtëpia ime është pranë godinës së komunës së Zveçanit por mund të hyj atje vetëm i shoqëruar nga KFOR”, Stevan Ivanoviç. 

Përveç Zveçanit, protestat vijojnë edhe në Zubin Potok dhe Leposaviç, ku trupat e NATO-s ruajnë godinën komunale, ku kryetari shqiptar gjendet brenda, që prej trazirave të 29 majit.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos