
Kriza në veri të Kosovës ishte një nga temat që mbizotëroi në punimet e samitit të Komunitetit Politik Europian në Moldavi. Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme, Josep Borrell, bënë përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit.
Të mëdhenjtë e Bashkimit Europian u takuan veçmas, njëherë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe më pas edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Por asgjë nuk u arrit. Presidentja Osmani akuzoi Serbinë se nxit tensionet përmes mbështetjes së strukturave ilegale dhe bandave kriminale që sulmuan policinë dhe KFOR-in.
Vuçiç pretendon se Kosova është fajtore e vetme për krizën në Veri. Presidenti serb tha se pranoi një takim me zonjën Osmani, ndërsa shtoi se presidentja e Kosovës nuk pranoi duke thënë se takimi duhet të ndodhë në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe Vuçiçit.
Përpjekje për të ulur tensionet mes palëve janë bërë edhe nga kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të Bashkimit Europian, përfshirë presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Rama pas dy takimeve informale me Vuçiç në Moldavi, tha se “konflikti në Veriun e Kosovës duhet të zgjidhet krah për krah me botën demokratike, duke u dhënë fund absurdit kërcënues e duke finalizuar marrëveshjen e normalizimit dhe njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë”.
Kurse presidenti serb konfirmoi se liderët folën për “hapat që mund të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjes ndaj situatës aktuale të vështirë dhe serioze”. (A2 Televizion)