
Ish-kryeministri Berisha e cilëson të vështirë situatën në veri të Kosovës, por ai mbështet veprimet e Albin Kurtit.
Ndërsa hodhi akuza të ashpra për kryeministrin Edi Rama që, sipas Berishës, po i shërben Presidentit serb Aleksandër Vuçic.
“Plumbat e bandave serbe në jelekët, por edhe plagosjet e ushtarëve të KFOR-it, dëshmojnë se aty situata është më dramatike, më kritike se asnjëherë më parë, që nga lufta e çlirimit të Kosovës. Nacionalizimi serb në të gjithë qenien, ekzistencën, projektin e tij ka vetëm Serbinë e madhe. Edi Rama ka qenë në mënyrë absolute këto vite, një ndihmës i shpifur i Aleksandër Vuçiç dhe ka futur thika pas shpine Kosovës në çdo moment. Gjatë këtyre ditëve qëndrimin e Kurtit unë e kam parë, qëndrimin e një kryeministri që kërkon të zbatojë ligjet e vendit të tij. Druaj se dënimet dhe sanksionet ndaj Kosovës, lexohen si një inkurajim nga nacionalisti i verbër Vuçiç dhe në këtë kontekst unë jam skeptik se ato mund të ndikojnë pozitivisht në zgjidhjen dhe paqen në rajon”, tha Berisha. (A2 Televizion)