
I pari që ka reaguar për këtë vendim të Enkelejd Alibeajt është Tritan Shehu, i cili e krahason kreun e grupit demokrat me Kim Jong Un. Në një postim në Facebook Shehu e cilëson atë të sëmurë mendor dhe këshillon kolegët opozitarë.
“Të shpëtojmë Alibejan! Ai është rënduar shumë, në mënyrë galopante! Ndoshta i ka bërë keq edhe Viti i Ri, gjeli, a diçka tjetër… Deliret e tij mendore, perceptimet e tij te deformuara për realitetin, po e çojnë shumë larg në “sëmundjen” e tij. Ndoshta i duket vetja si Kim Jong-Un a dikush tjetër i ngjashëm. Apo si gjeli mbi kotec, që tremb pulat përreth…. Kjo e fundit më duket më reale, më e vërtetë! Por pavarësisht nga “figura” që imagjinon për veten e tij, ai ka perceptime të deformuara, iluzione, delire. Që e çojnë pastaj në këtë shkalle keqësimi të “shëndetit mendor”! Është rënduar fort i shkreti kohët e fundit, duke tejkaluar në thellësi e ritëm shumë edhe nga parashikimet që kisha për ecurinë e tij shëndetësore! Deri sa arrin të firmose të tilla paçavurre….si simptomë e “sëmundjes” së rëndë të tij! Dhe këtë e bën atëherë kur të gjithë po punojnë, përpiqen për tejkalimin e ndarjeve. Ndarje të cilat ai vetë i ka “zyrtarizuar” me atë copë letër, që firmosi për herë të parë si “kryetar” i grupit, i caktuar nga…. Sidoqoftë një këshillë për kolegët e tjerë opozitarë: Megjithatë mos e denigroni atë, mos e agresoni se sëmundja kështu vetëm rendohet, por: 1-Çojeni me “butësi” aty ku mjekohen këta të “sëmurë”. 2-Vetëm me kujdes, mos i qëndroni shumë afër, se ndoshta këto “sëmundje” mund të jenë edhe ngjitëse në disa raste. Sa për të tjerat vetëm mund të qeshësh me një karikaturë të tillë!”, shkruan Shehu.
Ndërkohë Oerd Bylykbashi shkruan në Facebook: “Sot Gjenerali i ushtrisë së vdekur u mblodh me veten dhe vendosi që ushtria të marshojë”.
Enkelejd Alibeaj përjashtoi nga grupi parlamentar Tritan Shehun, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçin dhe Agron Shehajn. Një vendim i tillë, sipas njoftimit të zyrës së Alibeajt, vjen pasi 4 deputetët nuk kanë reflektuar për aktet e dhunës ndaj selisë së PD-së në protestën e 8 janarit të një viti më parë. Ata ishin pezulluar më herët nga Basha, ndërsa me firmën e Alibeaj janë përjashtuar nga grupi. (A2 Televizion)