
Burime për A2CNN bëjnë me dije se deputeti i PD Ervin Salianji ka nisur takimet me kolegë të tij për të gjetur mënyra e tentativa të tjera për bashkimin e PD. Një nga mënyrat për të bashkuar grupin parlamentar të PD që Salianji po e diskuton me deputetët është zëvendësimi i kreut të grupit Enkelejd Alibeaj.
Salinaji pohon për A2 CNN se është në takime të vazhdueshme me deputet të PD për të marrë këtë hap. Mësohet se ai ka biseduar me deputetët edhe mbi marrjen e firmave të tyre për të vendosur atë (Salianjin) në drejtimin e grupit parlamentar demokrat.
Salianji ka shprehur pakënaqësi për postin që Alibeaj ka si drejtues i grupit duke e akuzuar për abuzim të besimit të deputetëve e deri te përzgjedhja personale e kandidatëve për kryetar bashkie të grupimit të Alibeaj.
Në një intervistë për A2 CNN në ditët e fundit të dhjetorit 2022, Salianji tha se kandidimi i Alibeajt me emra të tjerë po përdoret nga Lulzim Basha për të themeluar një parti të re. “Unë mendoj që është një lëvizje e Bashës për të krijuar një parti të vogël, bëhet për të dëmtuar kandidatët e tjerë dhe pa diskutim kjo vlen edhe për të krijuar një bazë për të krijuar një parti të re, qoftë edhe për të marrë vulën, siç edhe duket se do të ndodhë”, tha Salianji.
Mësohet se deputetët që mbështesin grupimin Berisha i kanë dhënë firmën Salianjit që të bëhet kreu i grupit. Aktualisht Salianji mban postin e nënkryetarit të grupit parlamentar të PD.
Deri tani, Salianji ka mbajtur një qëndrim asnjanës sa i takon përçarjes së PD-së, por mbron idenë që drejtuesit e grupimeve kanë përgjegjësinë më të madhe që bëjnë të mundur që PD-ja të dalë më një kandidat pasi e kundërta do tregonte se në këto zgjedhje shkohet për interesa personale.
“Ata që janë drejtues, këtu qëndron edhe konflikti i madh, duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët. Nëse ndodh ndryshe demaskon dhe nxjerr para publikut dhe demokratët ata që tentojnë të bëhen patericë e regjimit. Nuk janë zgjedhje për Berishën apo Alibeajn dhe as për askënd tjetër, janë zgjedhje për komunitetet lokale. Dëmi më i madh që bëhet nga humbja e zgjedhjeve, nëse ndodh kështu, është për demokratët”, tha Salianji në një intervistë për A2 CNN në ditët e fundit të vitit 2022. “Për shkak të keqqeverisjes besoj se opozita do të fitojë shumë më tepër se sa në zgjedhjet e fundit bashkiake”. (A2 Televizion)