
Për zgjedhjen e Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, kreu i KLP, në emisionin “I ftuari” të gazetarit Endri Xhafo, u shpreh se ajo ishte e domosdoshme dhe nuk binte ndesh me Kushtetutën.
“Ligji u nxor në zbatim të Kushtetutës dhe për sa kohë që ai ligj qëndron në fuqi, i pa sfiduar nga askush dhe i pa rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ai ligj është interpretimi më i mirë i Kushtetutës. Konflikt nuk ka pasur”, tha kreu i KLP.
Më tej, Ibrahimi tha se Prokurori i ri do të zgjidhet brenda 3 muajve, sa e parashikon edhe ligji. Kreu i KLP tha se mungesa e dosjeve të mëdha është një minus për zonjën Arta Marku, ndërsa u shpreh se për të është një plus fakti që ka shërbyer si prokurore e Përgjithshme.
***
Gent Ibrahimi është kandidaturë e thirrjes së 6-të e një komisioni të përkohshëm që u ngrit për kandidaturat e Shoqërisë Civile. Nga 6 thirrje, 5 të parat dështuan. Në A2, ai sqaroi këtë situatë.
“Është një skepticizëm i përgjithshëm që e kemi të gjithë ne në raport me reformën në drejtësi dhe produktet që presim prej saj. Mund të ju numëroj dhjetëra emra personash që janë militues në shoqërinë civile prej dhe që njëkohësisht janë edhe juristë të sprovuar. Por besoj se ka qenë skepticizmi ai që ka ndikuar në mungesën e ofrimit sepse kjo reformë ishte e fundit në valën pa fund për ta reformuar këtë reformë, por asnjëherë nuk ka pasur një qasje frontale”, u shpreh Gent Ibrahimi.
Më tej, kreu i KLP tha se skepticizmi këtu i atribuohet e gjitha sistemit tonë politik dhe jo faktit që këto institucione nuk do të jenë të gjendje të sjellin produktet që të gjithë i presim. “Që të gjithë mendojnë se politika do të ja dalë të ndikojë në punën e këtyre njerëzve”, tha ai.
Ibrahimi: Mungesa e kandidaturave nuk përsëritet më
Gjetjen e një numri të mjaftueshëm kandidatësh, Ibrahimi e cilëson si çështje të së kaluarës. “Herën e parë, në kushtet e mungesës së madhe të besimit, ne patëm një numër të mjaftueshëm kandidatësh. Herën e dytë, kur institucionet të tregojnë se çfarë janë në gjendje të prodhojnë, atëherë jam i sigurt se numri i kandidaturave do të jetë më i madh. Kriteri ligjor nuk ka pse të ndryshojë pasi ka qenë produkt i një llogarie dhe analize shumë të gjatë”.
Ibrahimi: Antikushtetuese marrëveshja për përjashtimin e ekspertëve
Një nga marrëveshjet që ka qenë me ndërkombëtarët, politike, ishte që personat që do të merren me reformën në drejtësi nuk do të jenë anëtarë të saj. A është shkelur në rastin tënd?
“Ka pasur një marrëveshje zyrtare që u materializua te ligji për organet e vettingut, aty u tha se personat që kanë punuar në reformën në drejtësi nuk mund të jenë kandidatë për organet e vettingut, por ky është një ligj absolutisht antikushtetues, por në atë ankimi nuk mund të bëhej. Arsyeja pse nuk u mor asnjë hap kishte të bënte me rolin tonë si ekspertë në hartimin e reformës”, u shpreh kreu i KLP.
Kreu i KLP: Presioni i ndërkombëtarëve pozitiv, për më shumë vizion
Sa i përket interesit të madh të ndërkombëtarëve për miratimin e reformës në drejtësi, Ibrahimi u shpreh se kjo ishte shumë pozitive dhe i dha më shumë vizion. “Një efekt absolutisht beninj, Nuk e di si mund të argumentohet kundër kësaj reforme. Ka qenë një presion pozitiv për ta çuar përpara këtë reformë. Presioni ka shërbyer për t’i dhënë më shumë vizion, nga betejat e momentit që janë të kudondodhura. Kjo reformë ka një ndarje natyrore të roleve, në gjendje për të prodhuar produktin më të mirë të mundshëm. (A2 Televizion)