
Një tjetër kandidat për deputet ka dalë nga stafi i Ilir Metës. Shemsi Prençi, Këshilltari për çëshjet e Emergjencave Civile i ka paraqitur dorëheqjen Presidentit duke aspiruar tashmë mandatin e deputetit.
Burime për A2 bëjnë me dije se Prençi do të jetë kandidat për deputet në qarqet Tiranë ose Durrës nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ky është zyrtari i dytë i lartë në Presidencë që jep dorëheqjen për të garuar nën logon e LSI-së. Pak javë më parë, Bahri Shaqiri dha dorëheqjen nga këshilltar për çështjet e sigurisë duke u mandatuar si drejtues politik për fushatën zgjedhore në qarkun Durrës.
Kreu i shtetit, përmes një postimi në Facebook, tha se Prençi e ka informuar çdo ditë për situatën e përmbytjeve në vend dhe vlerësoi përkushtimin dhe profesionalizmin e tij.
“Këshilltari për Çështjet e Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, pasi më informoi si çdo ditë, për situatën e përmbytjeve në mbarë vendin dhe gjendjen e banorëve në zonat e bllokuara nga dëbora, më njoftoi sot dorëheqjen e tij nga kjo detyrë, për shkak të angazhimeve të tij të reja në të ardhmen.
E falënderova për këshillat e vlefshme, përkushtimin, korrektësinë, profesionalizimin dhe ndjenjat atdhetare të dëshmuara prej tij gjatë bashkëpunimit tonë të frytshëm për gati dy vite.
Duke e pranuar dorëheqjen e z.Prençi, i urova suksese për të ardhmen”, shkruan Meta. (A2 Televizion)