
Mund të jetë antipatik për shumë tifozë, por askush nuk mund të mohojë që Novak Djokovic është një nga sportistët më të mirë të historisë.
Të premten, tenisti serb dha një leksion në gjysmëfinalet e US Open për të ndalur vrullin dhe tenisin e guximshëm të gjermanit Alexander Zverev. Me një performancë fantastike, numri 1 i botës fitoi 3-2 (4-6, 6-2, 6-4, 4-6 dhe 6-2) në 3 orë e 33 minuta, duke ndërprerë serinë e 16 fitoreve radhazi të Zverevit.
Djokovic do të luajë të dielën (22:00) për herë të nëntë në finalen e US Open, ku do të ketë përballë rusin Daniil Medvedev.
Nëse fiton, serbi do të arrijë trofeun Grand Slam numër 21 në karrierë, më shumë se kushdo tenist tjetër në histori, duke lënë pas Roger Federer dhe Rafael Nadal (me nga 20 secili). (A2 Televizion)