
Një formacion tërësisht anglez për Mercedesin prej sezonit të ardhshëm. Pas kalimit të Valtteri Bottas tek Alfa Romeo, skuadra britanike ka gjetur një zëvendësues të denjtë për njëvendëshen e 8 herë kampionëve me radhë.
George Russell, ylli në rritje i Formula 1, është ai që do të shoqërojë Lewis Hamilton duke nisur nga sezoni 2022-2023. 23-vjeçari ka patur një karrierë vetëm në ngjitje, duke nisur nga titulli kampion në Formula 3 në vitin 2017, titullin e Formula 2 një vit më vonë dhe aventura nën drejtimin e makinës Williams përgjatë tre viteve të fundit.
Bashkimi i talentit anglez me Mercedesin u “nuhat” që në fundin e vitit të kaluar, kur Russell zëvendësoi Lewis Hamilton të prekur nga Covid, në Çmimin e Madh të Sakhirit. 23-vjeçari u rendit në vendin e 5 në atë garë, ndërsa dha mjaftueshëm shkëndija për të ardhmen.
Piloti aktual i Williams, në Çmimin e Madh të Belgjikës, pak javë më parë, u rendit në vendin e dytë, pozicionin më të mirë në karrierën e tij në Formula 1. (A2 Televizion)