I vendosën tritol në makinë, reagon kreu i PD në Vaun e Dejës

Nga A2 CNN
11 Prill 2023, 13:20 | Politikë
I vendosën tritol në makinë, reagon kreu i PD në Vaun e

Ende pa nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit, janë regjistruar incidentet e para kriminale ndaj drejtuesve lokalë të forcave politike. Në orët e mëngjesit të kësaj të marte, një sasi tritoli ka shpërthyer në mjetin e kryetarit të Partisë Demokratike të Vaut të Dejës, Benard Ndreca.

Kamerat e sigurisë në banesën e Ndrecës kanë fiksuar dy persona që për gati 7 minuta kanë vendosur lëndën shpërthyese gjatë orëve të natës. Ndërsa rreth orës 7:10 minuta, kur Ndreca po bëhej gati për të dalë nga oborri së bashku me makinën, ka ndodhur edhe shpërthimi.

Siç duket edhe nga pamjet, Ndreca del nga banesa së bashku me nënën e tij, e cila shkon për të hapur derën e oborrit, kur ka ndodhur edhe shpërthimi dhe vetëm fati e ka shpëtuar pa marrë lëndime. Ndërsa vetë Ndreca, edhe pse brenda mjetit, ka shpëtuar pa lëndime.

Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policore si dhe ekspertët xhenio që nisën hetimet dhe verifikimin e kamerave të sigurisë, me qëllim identifikimin e dy personave që vendosën lëndën shpërthyese. Paraprakisht mendohet se autorët mund të kenë vëzhguar nga distanca Ndrecën, duke aktivizuar lëndën shpërthyese sapo ai tentoi të lëvizte me mjetin tip Audi.

Për Ndrecën, ngjarja është e motivuar politikisht: “Është i mirëorganizuar. Unë jam vendas këtu dhe nuk kam asnjë konflikt. Ky incident është politik, më është bërë se jam kreu i degës së Partisë Demokratike. Unë i bëj thirrje të gjithëve që të distancojnë policinë nga politika”.

Kjo ngjarje vjen një ditë pasi anëtarët e PD-së, të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, në Këshillin Bashkiak të Vaut të Dejës kanë shprehur mbështetjen e tyre për kandidatin e propozuar nga grupi i Rithemelimit të PD të drejtuar nga Sali Berisha. Edhe vetë Ndreca është pjesë e Rithemelimit të PD. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/04/11/dy-persona-vendosin-tritolin-dalin-pamjet-nga-shperthimi-i-automjetit-te-kreut-te-rithemelimit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos