
Mauro Icardi thyhen heshtjen, në prag të derbit të Madoninës. Përpara ndeshjes ndërmjet Milanit dhe Interit, të cilën do ta ndjekë si spektator, sulmuesi argjentinas postoi një fotografi në Instagram, me festën karakteristike pas golit dhe shiritin e kapitenit në krah, me stadiumin ‘San Siro’ në sfond.
Fotografia e Ikardit është cilësuar si një sinjal që lojtari i jep klubit të Interit, për të rikthyer paqen, pas tensionit të krijuar për shkak të mungesës së akordit financiar, për rinovimin e kontratës.
Në anën tjetër, ish-lojtari i Milanit, braziliani Kaka ka bërë parashikimin e tij për derbin që do të luhet mbrëmjen e sotme në San Siro.
Për të, Milani do të fitojë dhe autorë të golave do të jenë Piatek dhe Paqueta. “Nuk kam mundësi të jem në stadium, por sigurisht që nuk mund ta humbasë një ndeshje të tillë. Mendoj se Milani do të fitojë me gola të Piatek dhe Paquetas. Klubi do të rikthehet shpejt në nivelet më të larta të futbollit. Një siguri për këtë është Leonardo dhe Maldini”, tha Kaka. (A2 Televizion)