Identifikohet shqiptari që u vra me plumb në kokë në Itali, i dyshuar i vëllai 18-vjeçar

Nga A2 CNN
3 Qershor 2023, 16:05 | Kronikë

Autoritetet italiane kanë identifikuar të riun shqiptar që u gjet i pajetë në banesën e tij në Pontedellolio të Piaçenzës, mbrëmjen e 2 qershorit.

Viktima është Enriko Aliaj, vetëm 20 vjeç, i cili ka humbur jetën pasi ka marrë një plumb në kokë.

I dyshuari kryesor për ngjarjen e rëndë është vëllai 18-vjeçar i viktimës, i cili jetonte me të së bashku me prindërit dhe motrën e tyre më të vogël.

Megjithatë dinamika e ngjarjeve të ndodhura brenda banesës është ende larg të qenit të qartë, pasi nuk përjashtohet që të kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale.

Brenda në shtëpi në atë moment, përveç viktimës dhe vëllait të tij, ndodhej edhe një person i tretë, mik i dy të rinjve, i cili fillimisht është larguar me vrap por më pas është identifikuar nga karabinierët që po hetojnë ngjarjen.

Sa i përket vëllait të viktimës, ai fillimisht nuk ka thënë asnjë fjalë për karabinierët pasi ndodhej në gjendje shoku, por është bërë shoqërimi i tij në komisariat.

Do të duhet kohë për të kuptuar zbardhjen e saktë të ngjarjes, teksa do të merren me radhë rezultatet e inspektimit nga karabinierët e mjekësisë ligjore, raporti balistik dhe më pas dëshmia e vëllait dhe e të rinjve të tjerë.

Arma e ngjarjes është gjetur në banesë, por karabinierët po përpiqet të kuptojnë se si u gjet nga të rinjtë dhe nga erdhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos