Shpejtësi 'skëterrë' 230 km/h në aksin Laç-Milot, 'Rrugorja' shton kontrollet në fundjavë

Nga A2 CNN
3 Qershor 2023, 11:57 | Kronikë

Fluksi i qytetarëve që zgjedhin bregdetin për të pushuar në fundjavë, ka bërë që shërbimet e policisë Rrugore të zbresin në terren me Poliscan, dronët, makinat inteligjente dhe radarët automatikë, në mënyrë që të parandalojnë aksidentet rrugore.

Nga Rruga e Kombit, Hani i Hotit e deri në Sarandë, efektivët kanë konstatuar dhjetëra raste të lëvizjes me shpejtësi mbi normat e lejuara.

Sipas një njoftimi të uniformave blu shpejtësi më e lartë është konstatuar në autostradën Laç-Milot, deri në 230 km/h.

Gjatë 48 orëve të fundit, Blutë i kanë pezulluar leje drejtimi me afat nga 3 deri në 12 muaj, 123 drejtuesve të automjeteve. 

Po gjatë monitorimeve dhe kontrolleve me përzgjedhje, bazuar dhe në analizat e riskut, shërbimet e Policisë Rrugore kanë pezulluar 21 leje drejtimi, me afat nga 2 deri në 18 muaj, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 11 për qarkullim në sens të kundërt.

Gjithashtu kanë ndëshkuar me masë administrative për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, por pa sanksion plotësues, 48 drejtues mjetesh.

Si rezultat i monitorimeve, gjatë 48 orëve të fundit janë konstatuar shpejtësi që varionin nga:

- 154 km/h deri në 167 km/h në rrugën e Kombit;

- 203 km/h deri në 230 km/h në autostradën Laç-Milot;

- 137 km/h deri në 141 km/h në rrugën interurbane kryesore Çermë-Lushnjë.

Janë pezulluar 155 leje drejtimi si dhe janë vendosur 2125 masa administrative për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Ndëshkuar me masë administrative:

- 553 drejtues automjetesh për parakalime të gabuara;

- 598 për shpejtësi mbi normat e lejuara por pa sanksionin plotësues atë të pezullimit të lejes së drejtimit;

- 334 për mosvendosje të rripit të sigurimit;

- 513 për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të automjetit;

- 127 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos