Identifikohet kufoma, 56-vjeçarja e mori peng dhe urdhëroi djegien për shkak të borxhit

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2022, 15:38 | Kronikë
Identifikohet kufoma, 56-vjeçarja e mori peng dhe urdhëroi djegien

Një borxh prej 1 milion lekësh i ka kushtuar jetën në mënyrë makabre një 61-vjeçari në Tiranë.

Menduh Kurt-Deda u vra në vitin 2017 ndërsa fshihej prej kohësh për shkak të Marjeta Karajt me të cilën kishte dhe lidhje intime.

Në një dalje për mediat, Drejtori i Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika, tha se 56-vjeçarja së bashku me të birin, Besmir Karaj, 34 vjeç dhe shokun e tij Gazmir Ngota, 39 vjeç, e futën me forcë në makinë, dhe pasi e keqtrajtuan fizikisht e çuan në një zonë pyjore në Kodër-Shupal ku e lidhën me litar dhe e dogjën për së gjalli.

Në pranga ra Marjeta Karaj, drejtoreshë e qendrës për fëmijët jetimë të ushtarakëve brenda dhe jashtë vendit, si dhe Gazmir Ngota. I biri që ndodhet në Itali është shpallur në kërkim.

Drejtori i policisë së Tiranës tha se përgjatë këtij viti në qarkun e Tiranës kanë ndodhur 7 vrasje nga të cilat 5 janë zbardhur.

Ai iu përgjigj dhe interesimit të gazetarëve lidhur me ndryshimet në kupolën e policisë duke thënë se për zëvendësimin e tij nuk ka marrë njoftim.

Prej disa ditësh, policia e shtetit pritet të zyrtarizojë emërimet e reja në disa qarqe të vendit ku më së shumti bie në sy rikthimi i Tonin Vocajt në krye të Tiranës, por edhe i Ervin Hodajt apo dhe Ermal Muçës në Shkodër e Vlorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos