“Ilir Meta, presidenti më skandaloz”, Rama: Shëmbëlltyra më e keqe e opozitës

Nga A2 CNN
19 Prill 2022, 10:20 | Politikë
“Ilir Meta, presidenti më skandaloz”, Rama:

Nuk i ka kursyer sulmet ndaj Ilir Metës, kryeministri Edi Rama, në nisjen e procesit për identifikimin e kandidaturave për presidentin e ri të vendit.

Kreu i qeverisë u shpreh se Ilir Meta ishte presidenti më skandaloz që ka pasur vendi, i cili u kthye në shëmbëlltyrën më të keqe të opozitës.

Sipas Ramës, zgjedhja e Metës në krye të shtetit ishte e detyruar në atë kohë pasi mazhoranca nuk i kishte votat, por edhe sepse opozita ishte larguar nga Kuvendi.

“Meta, presidenti më skandaloz që ka njohur vendi dhe më i papërsëritshëm që Shqipëria ka pasur mbi krye. Zgjedhja e Ilir Metës ishte me detyrim-përcaktim për ne, pasi nuk i kishim votat dhe gjendeshim në një kontekst politik të jashtëzakonshëm, po të kemi parasysh që mungonte opozita zyrtare në sallë dhe nga ana tjetër vullneti dhe dëshira jonë ishte që zgjedhja jonë të binte mbi dikë që në një farë mënyre mund ta përfaqësonte dhe opozitën dhe në ato kushte ne zgjodhëm një president për opozitën, por mendonim që do ishte dhe për Shqipërinë. Rrjedhja e ngjarjeve tregoi të kundërtën për Shqipërinë dhe i dha vendit një president që ishte shëmbëlltyra më e keqe e opozitës më të keqe që ky vend ka pasur prej 1991. Sot jemi në kushte të tjera dhe jemi përballë një sfide që duhet ta shohim si një përgjegjësi më të madhe”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos