
Ish-kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka njoftuar se i ka kërkuar Parlamentit që t’i heqë nga llogaria e tij bankare dietat e derdhura për muajin shkurt.
Berisha sqaron se i refuzon këto dieta dhe nuk do të pranojë asnjë dietë deri në fund të mandatit, pasi është deputet i Tiranës dhe lëvizjet jashtë qarkut do t’i përballojë me të ardhurat e veta.
“Sot nga mediat mësova se në llogarinë time bankare, Parlamenti ka derdhur për muajin shkurt dieta për mua, si dhe për 93 deputetë të tjerë, shumën prej 75 250 lekë. Lidhur me sa më sipër, deklaroj sa vijon:
1-Unë nuk kam pasur asnjë dijeni për këto dieta.
2- I kërkoj Parlamentit t’i tërheqi ato nga llogaria ime bankare ku i ka derdhur.
3-Unë jam deputet i Qarkut të Tiranës dhe si i tillë nuk do të pranoj asnjë dietë deri në fund të mandatit.
Lëvizjet e mia jashtë Qarkut të Tiranës do t’i përballoj me të ardhurat e mia”, shkruan Berisha në rrjetin social.
Kuvendi reagoi, duke sqaruar në një njoftim për shtyp se ka qenë një lapsus: "Në lidhje me deklaratat e deputetit Sali Berisha, Kuvendi i Shqipërisë bën me dije se në llogarinë bankare të deputetit Sali Berisha, për muajin shkurt është depozituar shuma totale e muajit ku nuk janë përfshirë dietat. Në kolonën dieta është një lapsus në publikimin online, pasi siç mund të verifikohet nga kjo faqe, totali i shumës së derdhur në llogari të deputetit nuk përmban dietat". (A2 Televizion)