Ndahet nga jeta në moshën 84-vjeçare një ndër arkitektët shqiptarë më në zë. Simboli i dimensionit të lirisë jo vetëm në arkitekturë, por edhe në pikturë dhe ideologji, Maks Velo u shua këtë të enjte në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku ishte shtruar disa ditë më parë për shkak të shëndetit të dobët.
Prej disa vitesh, Velo vuante nga anemia, por nuk e la kurrë aktivitetin e tij, e kohët e fundit e kemi parë të mbronte kauzën e aleancës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Shqipëria kështu humb një nga mendjet e lira të vendit.
Arkitekti që sot lë shenjë në shëmbëlltyrën e këtij kryeqyteti me projekte ndërtimi të rëndësishme, shumë herë edhe pjesë të trashëgimisë kulturore, Maks Velo, kërkoi modernen dhe lirinë kudo që shëtiste me mendje.

Kinemaja e Laprakës, që sot hapet për raste të veçanta, ndërtesa si ATSH, apo edhe pallati ku jetonin shkrimtarët Ismail Kadare e Dritëro Agolli janë vetëm pak nga veprat që lë pas arkitekti shqiptar më i njohur në botë, ai që ndërtoi për një kryeqytet, por edhe një studio të tij nuk mundën t’ia ndërtonin dot.
Jetonte i vetëm e shtëpia ishte dhe studioja e tij. “Në konditat më të tmerrshme jetoj, sepse nuk duan që Maksi të ketë një studio. Shkatërrova familjen”, thoshte Velo.
Edhe pse njihej si arkitekt ndërkombëtarisht, la pas vepra në telajo, por edhe libra me kujtime nga koha kur publicistika dhe arti i tij i kundërvihej komunizmit. Ishte viti 1978, kur arrestohet dhe i digjen veprat, një peng që artisti vijonte ta përsëriste si krimin më të madh që i kishin bërë.
Edhe pse është vetëm dimensioni i lirisë, kur bëhet fjalë për pikturën djegia dhe shkatërrimi i veprave të tij është thuajse e pafalshme, pasi ato nuk i rikthen dot. Nga ajo kohë ka mundur të shpëtojë tabloja “Dy muzikantët”, por ajo kohë shënjon gjithë jetën dhe eksplorimin e tij të mëtejshëm.

Për vite të tëra, Maks Velo iu nënshtrua vetëm kërkimit të të vërtetave, që sa më shumë zbulonte përmes dosjeve të sigurimit të shtetit aq më shumë revoltohej, e sidomos me artistët, me vetë miqtë e tij, me ata që e kishin spiunuar.
I revoltuar edhe me ata që e dënuan me burg, pasi rrugëtonte drejt së vërtetës, Maksi revoltohej edhe me ato që edhe pse përtej diktaturës, vijonin të silleshin si armiqtë e tij.
Shumë prej tyre ai i shkroi në vepra të memories që shënjojnë një jetë të hidhur të një artisti të madh. Si artist, ai krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.
Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: "Palltoja e burgut", "Thesi i burgut", "Paralele për arkitekturën", "Kohë antishenjë", “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, "Jeta ime në figura” apo “Përkthyesi”. (A2 Televizion)