23 Prilli, Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit

Nga A2 CNN
23 Prill 2020, 16:47 | Kulturë
23 Prilli, Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së

Që prej 23 prillit të vitit 1995, kjo datë shënon një ngjarje të përvitshme, të organizuar nga UNESCO, për të promovuar librin, të lexuarit, të publikuarit dhe të drejtën autoriale. U përzgjodh me marrëveshje si datë, për shkak të një rastësie, vdekja në të njëjtën datë dhe në të njëjtin vit, të dy shkrimtarëve të mëdhenj, William Shakespeare dhe Miguel de Cervantes, më 23 prill 1616. Ndaj data për të nderuar këta shkrimtarë, u kthye në simbolikën e një dite të veçantë për të përkujtuar librin.

Në kohëra të tilla të globalizimit, ku bota është bërë një vend i vogël, ajo çka i bashkon më shumë njerëzit është të lexuarit dhe librat. Kjo, më shumë se kurrë, u pa kur izolimi u kthye në një normalitet të ri të çdokujt, dhe bëri që kohën tonë t’ia dedikonim më shumë, ndër të tjera, dhe librit. Kështu, Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit nuk është lënë pas as në një situatë të tillë të pazakontë që po kalojmë me pandeminë e koronavirusit.

Ndonëse ky 23 prill nuk i gjeti studentët, pedagogët, shtëpitë botuese apo çdo dashamirës të librit në organizime e aktivitete të ndryshme, në të cilat çdo vit merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se tradita ndaloi. Përkundrazi libri, letërsia, kreativiteti erdhën si një përmasë shpirtërore që e zvogëluan distancimin social.

Departamenti i Letërsisë, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, së bashku me Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit, i kushtuan vëmendje promovimit të librit. Gjithashtu studentët e degës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të cikleve Bachelor, Master Profesional, Master Shkencor edhe këtë vit u ftuan të jenë pjesë e Festivalit të Krijimit Letrar. Ky aktivitet që tashmë zhvillohet prej disa vitesh radhazi, ka pasur gjithmonë një pjesëmarrje të gjerë, krijime cilësore si dhe çmime apo dhurata simbolike nga shtëpitë botuese për fituesit. Edhe këtë vit u mirëpritën krijime në dy zhanre, poezi dhe prozë për t’u interpretuar më pas në një takim virtual, ndryshe nga vitet e tjera, një formë kjo që me siguri do të mbahet mend gjatë.

Ky vit shënon dhe 100-vjetorin e lindjes së poetit Zef Zorba ( 7 prill 1920) dhe sigurisht, pjesë e këtij komunikimi online u bë dhe krijimtaria e tij, siç dhe e autorëve të tjerë shqiptarë. Një bashkëpunim artistik, “Vox- Littera 2020”, bëri bashkë studentë dhe profesorë për të interpretuar nga krijimtaria e Pjetër Bogdanit, Naim Frashërit, Andon Zako Çajupit, Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Lumo Skëndos, Vinçens Prenushit, Lazër Shantoja, Ernest Koliqi, Zef Zorba, Arshi Pipa, Martin Camaj, Anton Pashku, Frederik Rreshpja, Xhevahir Spahiu, Sabri Hamiti. Megjithëse në një format krejt ndryshe nga më parë, ky realizim ishte një mënyrë për të thënë se, letërsia arriti të kapërcejë ngujimin fizik e të bashkojë magjishëm shpirtrat njerëzor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos