Inceneratori i Elbasanit, dështon mbrojtja, avokati i Kokës gjen gabime tek pretenca e SPAK

Nga A2 CNN
1 Qershor 2023, 15:41 | Kronikë
Inceneratori i Elbasanit, dështon mbrojtja, avokati i Kokës gjen

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, i pandehur në dosjen e inceneratorit të Elbasanit, ishte i gatshëm të bënte mbrojtjen e tij para Gjykatës së Posaçme. Argumentet e tij kundër kërkesës së SPAK për ta dënuar me2 vjet e 8 muaj burg për “shpërdorimit të detyrës” duket se i kishte edhe me shkrim, por nuk mundi t’i prezantojë.

Seanca u ndërpre për shkak se dy nga të pandehurit në proces nuk i kishin të pranishëm. Gjykata nuk pranoi as kërkesën e avokatit të Bllakos, për të caktuar dy avokatë kryesisht, me qëllim vijimin e seancës dhe paraqitjen e mbrojtjes së klientit të tij. Para mbylljes së seancës, në mungesë të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, avokati i tij pretendoi se në pretencën e SPAK, ku u kërkua një dënim me 6 vjet e 8 muaj burg për “korrupsion”, “shpërdorim detyre” e “pastrim parash” për ish-ministrin kishte paqartësi.

Sipas avokatit Tritan Hamitaj, SPAK nuk përcaktonte se kur ka ndodhur akti korruptiv i pretenduar për ish-zyrtarin e lartë. Avokati këmbënguli se vlera e pasurive që SPAK kërkon t’u konfiskohen Lefter Kokës është shumë me e madhe se vlera prej 3 milionë euro e konsideruar si ryshfet i marrë prej tij për inceneratorin e Elbasanit.

Seanca e radhës, ku pritet të dëgjohen konkluzionet e Mbrojtjes u caktua në 8 qershor. Në pretencë SPAK kërkoi fajësi për gjithë të pandehurit, ndërsa dënimi më i rëndë me 6 vjet e 8 muaj burg u kërkua për Lefter Kokën dhe biznesmenët në kërkim Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos