
Koncensionii sterilizimit për Partinë Demokratike është vjedhja e dytë më e madhe që u është bërë qytetarëve dhe e pagëzojnë si “inceneratori i shëndetësisë”. Me bindjen se koncesioni është korruptiv, Albana Vokshi ngarkoi me përgjegjësi ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, për të cilin thotë se ka punuar në favor të kompanisë së Ilir Rrapajt dhe ka përjashtuar një ofertues tjetër që parashikonte kursim prej 23 milionë Eurosh me këtë koncension.
“Ne jemi të gatshëm që çdo informacion që kemi t’i dërgojmë pranë prokurorisë, por hetimi duhet të shkojë te Edi Rama dhe Ilir Beqaj ata janë kokat e inceneratorëve”, tha deputetja Albana Vokshi.
Mjeku Ilir Alimehmeti vlerëson se koncesioni i sterilizimit nuk ka pasur në vëmendje pacientin, por vetëm buxhetin e kompanisë. Përmes shkresave, ai tregoi dhe një ankesë të Spitalit të Durrësit që evidentonte këtë problem.
“Bazuar në kontratë, sipas planifikimit numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është 155 në muaj. Mendoni pak spitali i Durrësit ka mesatarisht 5 ndërhyrje në ditë, ky është një nën planifikim. Pra i kërkohet mjekut të mos japë një shërbim shëndetësor”, tha Alimehmeti.
Ndërsa për deputetin Tritan Shehu, koncensioni i sterilizmit është problematik edhe sa i përket monopolit që krijon, pa u ofruar asnjë shërbim më të mirë qytetarëve. (A2 Televizion)