Inceneratori i Tiranës, PD nxjerr detaje nga raporti ende jopublik i KLSH

Nga A2 CNN
30 Janar 2022, 12:41 | Politikë
Inceneratori i Tiranës, PD nxjerr detaje nga raporti ende jopublik i KLSH

Partia Demokratik nxori sot pjesë të raportit ende të papublikuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit për inceneratorët, sepcifikisht atë të Tiranës. Të dhënat, sipas Jorida Tabakut, janë një arsye e forte se përse socialistët bllokuan hetimin e aferës së tre inceneratorëve në Parlament.

“Sot e kësaj dite në atë që duhej të ishte Inceneratori i Tiranës, raporti i KLSH-së thotë se megjithëse është paguar një shumë, shumë e madhe, rreth 80 milionë euro, kanë përfunduar vetëm 2 nga 9 lotet e parashikuara prandaj sot qytetarët e Tiranës nuk janë duke e marrë shërbimin e incenerimit dhe kjo është shkelja më e lartë që indentifikon ky raport. Kjo është arsyeja që unë besoj që kanë vendosur të bëhen mburojë politike për Komisionin Hetimor Parlamentar të Inceneratorëve për të mos na lejuar ne që t’i shkojmë kësaj afere deri në fund”, tha Tabaku.

“Të dhënat e prezantuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë jashtëzakonisht shqetësuese. Por këto, nuk janë shqetësuese për qeverinë. Nëse ne sot po deklarojmë se po paguajmë 8 milionë euro në vit për një incenerator që nuk ekziston, që Bashkia e Tiranës është vendosur në një rrezik të jashtëzakonshëm financiar sepse nuk e përballon koston, që Bashkia e Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës, Kamzës dhe Bashki të tjera si këto, janë sot duke paguar tarifa të larta vetëm që inceneratori të funksionojë, sot ka vetëm një përgjegjës, Edi Rama. Sigurisht, që kjo është bërë në bashkëpunim me Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin, Lefter Kokën që sot është përpara drejtësisë, tre kryetarëve të bashkive Tiranës, Elbasanit dhe Fierit dhe e gjithë procedura është drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi”.

Sipas Tabakut, KLSH thotë se Kompania Koncesionare nuk e ka pasur asnjëherë kapacitetin për ta zbatuar këtë projekt. “Ka marrë dy kredi bankare dhe i ka shlyer këto kredi bankare me fondet e buxhetit të shtetit. Kjo është shkelja e katërt më e rëndë duke treguar se kjo kompani nuk kishte asnjë lidhje me incenerimin, nuk kishte asnjë ekspertizë për sa i përket menaxhimit të mbetjeve dhe sigurisht u krijua për vjedhjen kolosale të 430 milionë eurove”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos