
Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, tha se 6 marsi, kur do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore, do të jetë një leksion demokracie për të gjithë.
Ademi, e cila u tërhoq nga gara e brendshme që po organizohet nga Komisioni i Rithemelimit të PD, tha se ky proces është i vonuar, por i mirëpritur. “PD do të duhet ta kishte bërë shumë më parë. Por mendoj që edhe në këto kushte, ky proces merr një vlerë edhe më të madhe sesa demokracia brenda partisë. PD ka pasur nevojë për demokratizim të brendshëm. Kjo bën të mundur që PD të fillojë përfaqësim përmes një sistemi meritokracie dhe votimi të brendshëm. Ky proces është ushtrim demokracie për të gjithë sistemin në vend. Fakti që bëhet edhe në Shkodër mendoj që i jep vlerë të jashtëzakonshme jo vetëm PD, por gjithë vendit. Më 6 mars nuk bëhet fjalë vetëm për Shkodrën, por për një leksion demokracie për të gjithë vendin”, tha Ademi për mediat.
Ademi ishte personi që, në cilësinë e kryetares së shoqatave të bashkive, dërgoi në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet vendore të vitit 2019, ku PD dhe LSI nuk morën pjesë. Por Gjykata, pas këshillimit edhe me Komisionin e Venecias, vendosi të mos e marrë fare në shqyrtim çështjen. “Ishte e padrejtë që Gjykata Kushtetuese nuk e mori vendimin. Por po e nisim nga 6 bashki, për të arritur te 61. Ne do ta fitojmë Bashkinë e Shkodrës, mjafton të shihni pjesëmarrjen”, tha Ademi.
Ajo shtoi se me këtë proces, në krizë është futur Basha. “Nuk e di kush është Lulzim Basha tashmë”, tha ish-deputetja. Ajo u bëri thirrje demokratëve të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. “Nuk do ta vendosë Sali Berisha kush do të jetë kryetari i Bashkisë së Shkodrës dhe as deputetët nesër. Të gjithë demokratët e kuvendit kanë bërë të mundur që t’i japin të drejtën e vendimmarrjes gjithsecilit përmes votës”. (A2 Televizion)