
Policia e Tiranës ka njoftuar se ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për dy persona, pasi incidentit me ashensorin në spitalin “Nënë Tereza”.
Për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, janë proceduar 45-vjeçari E.B., teknik ashensori, dhe 52-vjeçari A.S., administrator i firmës së ashensorëve.
Qendra Spitalore Universitare reagoi për incidentin në spital, ku dy persona u lënduan si pasojë e këputjes së ashensorit.
“Qendra Spitalore Universitare informon se gjatë mbrëmjes së djeshme, në urgjencën e sëmundjeve të brendshme, gjatë transportit të një pacienteje për kryerjen e ekzaminimeve radiologjike, ka ndodhur një incident në një prej ashensorëve. Pacientja, e shoqëruar nga infermieri dhe barrelambajtësi, në dalje nga ashensori, pati lëndime, së bashku me barrelambajtësin, si pasojë e një defekti të ashensorit. Infermieri dhe stafi mjekësor i kanë dhënë menjëherë ndihmën e nevojshme pacientes dhe barrelambajtësit”, lexohet në reagimin e QSUT. (A2 Televizion)