
Pagat e shqiptarëve që qarkulluan në WhatsApp ishin, sipas kryeministrit, elementi kryesor në suksesin e aksionit kundër informalitetit të nisur në fund të vitit të shkuar.
Nga 97 000 individë të punësuar në sektorët me risk nën deklarimin e pagave, mbi 51 000 patën një rritje të pagës me mesatarisht 10 000 lekë. Për këtë arsye, Rama kërkon publikimin e listëpagesave çdo vit.
Aksioni kundër informalitetit do të vazhdojë, duke dyfishuar gjobat për mosdeklarimet e pagave reale dhe evazionin. Madje, duke u shtrirë edhe në hetim pasuror të individëve.
Lufta ndaj evazionit do të fokusohet në sektorë si ai i sigurimeve dhe tregu i pasurive të paluajtshme, ku një pjesë e pagës deklarohet në formë bonusesh. Ndërsa ligji i ri për Tatimin mbi të Ardhurat do të shënjeshtrojë profesionistët e lirë, që sot nuk paguajnë asnjë taksë si biznes i vogël.
Pas pagave reale, Taks Forca do të përqëndrohet tek kontratat e punës dhe pagesa e orëve shtesë dhe ditëve të pushimit. Ndërsa qeveria njoftoi edhe ngritjen e një programi nxitës për punësimin e individëve nga familjet me ndihmë ekonomike. (A2 Televizion)