
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi në rrjetet sociale, bëri me dije se virusi i ri Covid-19 ka infektuar dhe profesorin e njohur Dhimitër Kraja, i cili edhe pse në pension iu përgjigj thirrje së Ministrisë për të ndihmuar në këtë situatë të vështrirë të krijuar nga koronavirusi.
Ministrja Manastirliu njofton se gjendja shëndetësore e profesor Krajës është e qëndrueshme dhe ai është në monitorimin e vazhdueshëm të mjekëve.
“Pesha e viteve nuk e pengoi Prof. Dhimitër Krajën për t’u rikthyer në spitalin infektiv, aty ku ka kaluar 48 vite të jetës së tij, për t’i dhënë një dorë stafit të palodhur të këtij spitali në këto ditë të vështira! I rrallë e modest si pakkush, Dr. Luli, siç e thërrasin të gjithë, po përballet vetë në këto momente, me sëmundjen që aq shumë donte ta luftonte! Gjendja shëndetësore e doktor Lulit në këto momente është e qëndrueshme, në trajtim nga ekipi mjekësor, për të cilin ka qenë ngahera një burim i pashtershëm frymëzimi”, shkruan Manastirliu. (A2 Televizion)