Mjekët shqiptarë në Itali, shefi i Urdhrit të Mjekut: Duhet t’i kishim dhënë certifikatën e sjelljes së mirë

Nga A2 CNN
31 Mars 2020, 19:35 | Aktualitet
Mjekët shqiptarë në Itali, shefi i Urdhrit të Mjekut: Duhet

Fatmir Brahimaj, shefi i Urdhrit të Mjekut, deklaroi në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2 se mjekët dhe infermierët që kanë shkuar në Itali për të ndihmuar në përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi kanë pasur me vete licencat, por sipas tij, “do të ishte mirë që të kishin marrë nga ne edhe një certifikatë të sjelljes së mirë”.

“Ata kanë pasur me vete kopjet e licencës të lëshuara nga ne, që i jep të drejtën të ushtrojnë profesionin e mjekut te ne dhe te disa vende që e njohin atë. Do të ishte mirë që të kishin marrë nga ne edhe një certifikatë të sjelljes së mirë, një dokument që kërkohet për ata që frekuentojnë për arsye të ndryshme klinika të huaja”, shpjegoi Brahimaj.

Por, sipas tij, “në rastin aktual kemi të bëjmë me një marrëveshje mes dy qeverive dhe është kapërcyer ky formalitet”.

Në lidhje me shpërblimin prej 3000 eurosh për mjekët dhe 2500 eurosh për infermierët, Brahimaj theksoi se ata “nuk janë nxitur nga paga për të shkuar në Itali”.

“Ata i janë përgjigjur thirrjes së qeverisë sonë dhe unë them se kanë bërë një gjest që na nderon të gjithëve”, tha shefi i Urdhrit të Mjekut.

Në lidhje me numrin e testimeve, Brahimaj deklaroi: “Çdo ekzaminim duhet të ketë një bazë për t’u bërë. Duhet nisur nga hetimi epidemiologjik sepse nëse bëhet kot, do të na vinte në gjumë fakti që shumë njerëz do të dilnin negativë. Çdo gjë duhet bërë në kohën e duhur dhe sipas standardeve të njohura botërisht”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos