
Rritja e fortë e çmimeve do të detyrojë Bankën e Shqipërisë të rrisë normën bazë të interesit. Guvernatori Gent Sejko deklaroi se po monitorohet me kujdes ecuria e inflacionit dhe ashtu si shumë banka qendrore në shtete të tjera, do të merret shumë shpejt vendimi, për të normalizuar sipas tij politikën monetare, pas shumë viteve në kahun lehtësues.
“Me sa duket shumë shpejt do të detyrohemi të rrisim normën e interesit, mbledhja e radhës e Këshillit mbikëqyrës do të jetë më 23 mars, presim të dhënat e INSTAT-it, por gjatë këtij viti do të kthehemi nga një politikë nga lehtësuese, por normalizuaese, për mos ë thënë shtrënguese”, deklaroi Sejko.
Sipas Guvernatorit, kjo politikë monetare nuk do të pengojë rritjen ekonomike, teksa do të duhet të presim deri vitin e ardhshëm që të normalizohet rritja e çmimeve.
“Do të donim te kishin norma interesi sa më të ulta, për të nxitur kreditimin, por gjithsesi presim rritje ekonomike, kështu që ndryshimi i kahut të politikës monetare nuk do të sjellë ndryshim. Parashikimi ynë është që do të kemi një inflacion të rritur që do të bie në 2023”, shtoi guvernatori.
Sejko foli gjatë seancës dëgjimore për rikandidimin e tij si guvernator i Bankës Qendrore. Parlamenti do të votojë ditën e enjte për t’i dhënë një tjetër mandat 7-vjeçar në krye të Bankës së Shqipërisë. (A2 Televizion)