Integrimi Evropian, Vurmo: Në këtë fazë, duhet të mësohemi me kushte të reja

Nga A2 CNN
9 Qershor 2020, 19:41 | Aktualitet
Integrimi Evropian, Vurmo: Në këtë fazë, duhet të

Kemi hyrë në një fazë kur duket se strukturat e shumta të Bashkimit Evropian po lëvizin në drejtimin e integrimit të Shqipërisë. Në fakt, fjala integrim ka shumë vite që qarkullon dhe që nga fillimi i artikulimit të saj ka kaluar përmes shumë perceptimesh, si nga politika ashtu edhe nga opinioni shqiptar.

Në fillim ishte një ëndërr e bukur, më vonë u shndërrua në detyra të vështira, më pas në luftë politike dhe kjo u pasua nga përkthime sipas temperaturës së politikës në vendin tonë. Nuk mbaroi këtu, por përkthimi u spostua në kancelaritë evropiane, ku hallet brenda tyre prevalonin ndaj dëshirës sonë për integrim. Gjithsesi, sot jemi në një moment kur duket se po afron një raund i ri konkret negociatash. Këshilli Kombëtar për Integrimin i mbledhur sot paradite, temë kryesore kishte pikërisht këtë moment.

Për të kuptuar më shumë në lidhje me këtë hap që kërkohet nga Shqipëria ishte i ftuar në A2 drejtori i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Gjergji Vurmo, i cili fillimisht foli për fazën ku ndodhet aktualisht vendi ynë.

“Aktualisht jemi në fazën përgatitore për konferencën e parë të negociatave, midis BE-së dhe Shqipërisë. Në mënyrë që kjo konferencë të ndodhë duhet të ndërmerren disa hapa, siç janë plotësimi i kushteve të vendosura nga BE-ja. Më tej, duhet miratuar korniza e negociatave, e cila është paralajmëruar që do të ndodhë gjatë kësaj jave. Më tej, Shqipëria duhet të vazhdojë me zbatimin e reformave dhe implementimin e masave, në mënyrë që deri në vjeshtë, Komisioni Evropian të prezantojë arritjet e Shqipërisë, duke shpresuar për një konferencë të parë të negociatave të ndodhë gjatë këtij viti. Kjo është e vështirë, por jo e pamundur. Më tej, do të ishte thuajse e pamundur, pasi Shqipëria futet në periudhën e zgjedhjeve. Çdo konferencë ndërqeveritare fillon me kushte të reja. Tani duhet të mësohemi me kushte që Shqipëria duhet të plotësojë, në mënyrë që duhet të hapen apo të mbyllen negociatat lidhur me kapituj të ndryshëm. Kjo fillon pas konferencës së parë ndërqeveritare”.

Më tej, drejtori i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim u shpreh se për të siguruar një vend në BE nevojitet një sensibilizim më i madh i aktorëve jo politikë në vendin tonë.

“Unë besoj se treni për në BE ka ende vende të lira për anëtarë të rinj. Kryeministri ka të drejtë kur thotë se Shqipëria po futet në një fazë të re, por të vonuar. Jemi në dekadën e tretë të tranzicionit dhe në këtë marrëdhënie me BE-në. Do të varet shumë në të ardhmen se si do të qaset Shqipëria gjatë këtij procesi. Nëse do të ndjekim të njëjtën qasje si këto vite, atëherë besoj se do të jetë një rrugëtim i largët. Shpresoj një sensibilizim nga ana e aktorëve të tjerë, jashtë shtetërorë, për t’u përfshirë në mënyrë aktive në këtë proces”, u shpreh Vurmo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos