
Presidenti Ilir Meta ka rikthyer në Kuvend ligjin “Për përmirësimin e zonave të biznesit”.
Në arsyetimin e këtij dekreti, Meta thotë se ky ligj shkel parimet kryesore kushtetuese të:
- lirisë së veprimtarisë ekonomike;
- ushtrimit të së drejtës së pronës private me gjitha tagrat e saj (zotërimin);
- mënyrës së caktimit të taksave dhe tarifave vendore;
- mënyrës së administrimit të fondeve publike dhe të ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive të detyrueshme të njësive të vetëqeverisjes vendore.
“Një formulim i tillë është tërësisht i papranueshëm, pasi imponon një vendimmarrje për zotëruesit e njësive në një zonë të caktuar administrative, edhe nëse ata nuk janë përfshirë fare në vendimmarrje.
Nëse do të ishte i pranueshëm miratimi i një vendimmarrjeje pas një votimi “pro” me rezultat “50% +1”, përkundrazi, mungesa e votave “pro”, apo e votave “kundër”, nën këtë nivel pjesëmarrjeje, kurrsesi nuk mund të konsiderohet si pranim.
Një parashikim i tillë, në veçanti me mungesën e garancive që përmban ky ligj për mënyrat dhe procedurat e njoftimit, përbën një vendimmarrje të imponuar për zotëruesit e njësive në zonën ku propozohet BID-i.
Ndërsa ligji, për një vendimmarrje të tillë imponuese, që i vë zotëruesit e njësive të asaj zone para detyrimit të pakërkuar apo të papranuar, nuk përcakton asnjë mënyrë ankimi apo kundërshtimi në gjykatë, në kushtet kur neni 12, parashikon vetëm afatet për regjistrimin direkt të organizatës BID në gjykatë si organizatë jofitimprurëse”, thuhet ndër të tjera në arsyetim. (A2 Televizion)