Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas paralajmëron protestë nesër në orën 10 te Ministria e Infrastrukturës.
Shoqata ka përpiluar katër kërkesa për qeverinë. Ata kërkojnë heqjen e akcizës dhe taksave për blerjen e karburantit nga shoqëritë transportit publik. Më tej ata kërkojnë edhe zbritjen e TVSH në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e saj në nivelet e 6%, siç është për sektorin e turizmit.
Shoqata e Transportit kërkon edhe rimbursimin e pasagjerëve të munguar për shkak të masave të distancimit social, si dhe rimbursimin e kategorive që përfitojnë shërbim falas në burim. Sipas saj, pa plotësim të kërkesave nuk ka nisje shërbimi të transportit publik.
Dje në Facebook kryeministri Rama kishte deklaruar një seri masash për transportin publik, si njohja si shpenzim të zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, dhe zero taksa dhe po ashtu zero tarifa vendore deri më 31 dhjetor 2020, por edhe mbajtjen e çmimit të biletave në nivelin para pandemisë. (A2 Televizion)