Integrimi/ Kashahu: Qeveria nuk përmbushi asnjë nga kushtet, Rama drejton gishtin nga BE

Nga A2 CNN
1 Dhjetor 2020, 19:56 | Politikë
Integrimi/ Kashahu: Qeveria nuk përmbushi asnjë nga kushtet, Rama

Një lajm shumë të keq për Shqipërinë e ka konsideruar sekretari për marrëdhëniet me jashtë në PD Arben Kashahu, deklaratën e një dite më parë të kancelares Merkel, e cila u shpreh skeptike për Shqipërinë sa i takon integrimit në BE.

I ftuar në studion e A2 CNN, Kashahu tha se gjasat janë shumë të vogla që Shqipëria të marrë drite jeshile për konferencën e parë ndërqeveritare, ndërsa akuzoi qeverinë se nuk arriti të përmbushë asnjë nga kushtet e kërkuara nga BE.

“Është një ditë për t’u shqetësuar, është një lajm shumë i keq për Shqipërinë që po shkojmë drejt mbledhjes së samitit me gjasa të vogla për dritë jeshile për konferencën e parë ndërqeveritare për të bërë një hap pozitiv. Kjo qeveri ofroi vetëm zhgënjime, data pa fund me zhgënjime dhe ky ishte rasti më i mirë i mundshëm me presidencën gjermane e kroate që ishin pro negociatave dhe kishin ndjekur nga afër procesin. Shqipëria nuk arriti të përmbushë disa nga kushtet. Është e pamundur të vendoset korniza negociuese për Shqipërinë, pasi nuk ka vendimmarrje në konferencën e parë ndërqeveritare”.

Sipas Kashahut qeveria e Ramës po konceptohet si një qeveri euroskeptike, që nuk i intereson integrimi dhe nuk bëri asnjë përpjekje minimaliste për të realizuar kushtet e thjeshta.

“Ne jemi të gjithë humbur, gjithë shqiptarët politikisht është shumë e humbur. Qeveria shqiptare po perceptohet një qeveri euroskeptike që ushqen ndjenja antieuropiane. Qeverisë nuk i intereson integrimi në BE nuk bën asnjë përpjekje minimaliste për të realizuar kushte të thjeshta”

I pyetur nëse opozita është përgjegjëse për këtë situatë, ai thotë se vetë Rama e ka drejtuar gishtin nga Bashkimi Europian, duke thënë se ka probleme të brendshme dhe jo nga opozita

“Rama po të kishte një moment do të kapej me opozitën dhe do ta akuzonte atë, por ai ka drejtuar gishtin nga BE, duke thënë qe keni probleme të brendshme e shfrytëzoni informacionin e Shqipërisë për politikë të brendshme. Vetë qeveria e ka drejtuar gishtin nga BE dhe jo nga opozita. Kjo mazhorancë në ikje u profilizua si antieuropiane”.

 Për Kashahun zgjedhjet e 25 prillit do ta vendosin fatin e Shqipërisë drejt Europës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

“Këto zgjedhje do të vendosin nëse do të mbështesin forcat proevropiane dhe kombëtare, apo joevropiane, ose antikombëtare dhe kjo është fare e qartë për elektoratin shqiptar. Nëse PD do jetë fituese e garës elektorale, Shqipëria do t’i ofrohet me shpejtësi BE-së, do të ndryshojë aksi i Shqipërisë në raport me BE-në dhe rritjes e zhvillimit ekonomik, reformave cilësore që sjellin perspektivë e zhvillim që do ta afrojë me BE –në dhe opozita kur të viojë në pushtet do ta zhdukë nga fjalori fjalën kushte. Nuk duhet të ketë më në pushtet forca politike që mendojnë gabim dhe siç do preferonin armiqtë e Shqipërisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos