
Nevojën për një qasje ndryshe në procesin e zgjerimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor e shikon edhe politologu Gledis Gjipali. Në studion e “Absolut 4” ai tha se problematika nuk vjen vetëm nga vendet e Ballkanit, por edhe nga vendet anëtare të BE.
“Këto problematika po vijnë e theksohen. Surpriza e parë nisi me përplasjen e Sllovenisë e Kroacisë muajt e fundit të firmosjes së traktatit të anëtarësimit. Nëse hapet kjo “Kuti e Pandorës” në Ballkan nuk do të kemi përfundim të procesit, mjafton një prej vendeve të hyjë i pari do bllokojë për arsye të ndryshme të vendet e tjera. Ka nevojë për një përqasje ndryshe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, por siç po shohim problematika po vijnë edhe nga vende jashtë Ballkanit. Është një problematikë që duhet të zgjidhet, se procesi është shumë i gjatë, një pjesë e fajit është e vetë vendeve që synojnë anëtarësimin që nuk prodhojnë dot reformat e duhura, por edhe situata nga vendet anëtare të BE nuk është pozitive”.
Gjipali thekson që nëse ky proces pengohet është i asgjësuar që në hapat e tij më të rëndësishëm atë të negociatave. Sipas tij mundësitë e shumta të vendosjes së vetos nga vendet e tjera kanë shuar shpresën dhe motivimin. Dhe këtu ai përmend kostot e larta që pati marrëveshja e Ohrit, ndërkohë që e njëjta situatë po përsëritet me Bullgarinë.
“Ka pasur kosto të larta për marrëveshjen e Ohrit dhe gjithë kjo sakrificë e tyre po zerohet nga pretendime të tjera që mund të përsëriten. Në një studim të disa viteve më parë është numëruar që ekzistojnë 60-70 momente gjatë negociatave ku një vend vendos veton. Është një numër shumë i madh mundësish që një vend të bllokojë vende të tjera dhe është e pamundur që të kesh motivim nëse kjo lojë mund të vazhdojë. Nëse ky proces pengohet është i asgjësuar që në hapat e tij më të rëndësishëm atë të negociatave”.
Sa i takon vetos së Bullgarisë, Gjipali shprehet skeptik që Bullgaria mund të lëshojë pe, për shkak se kjo situatë po përdoret për zgjedhjet e parakohshme në atë vend në me stë korrikut.
“Duket që po përdoret edhe për efekte elektorale. Unë jam skeptik se mes korrikut kemi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Bullgari. E shoh të pamundur që Bullgaria të lëshojë në këtë moment. Kjo çështje kërkon zgjidhje afatgjatë, por ngelet si shpatë mbi kryet e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor që pret procesin e integrimit”. (A2 Televizion)