
Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, deklaroi në studion e “Absolut 4” në A2 se “do të kishte qenë më mirë nëse kandidatët për deputetë dhe ekipi garues i PD-së do të ishin shpallur zyrtarisht kohë më përpara, që të kishim më shumë kohë për të takuar më shumë qytetarë dhe të denonconim më shumë shkelje”.
“Por, ky është qëndrimi im. Ka persona të tjerë në PD, me më shumë eksperiencë, që mendojnë që nuk është kjo më e mira. Se si do të dalim në konkluzione, kjo mbetet për t’u parë gjatë analizës. Unë gjykoj që këtij procesi nuk duhet t’i shpëtojnë as aleatët e Partisë Demokratike, çfarë kontributi kanë sjellë në fushatë, çfarë fushate kanë bërë, sa kanë ndihmuar me vota dhe a mund të kishte qenë më mirë një kandidat i PD-së në një zonë të caktuar apo një aleat në zonë të sigurt? Votat e tyre duhen parë të përkthyera në mandate”, u shpreh Këlliçi.
Në lidhje me përgjegjësinë për rezultatin në zgjedhje, Këlliçi u shpreh: “Ne kemi qenë një ekip dhe i gjithë ekipi ka garuar bashkë me zotin Basha. Përgjegjësia është e të gjithëve, jo vetëm e kryetarit”.
Në fund, Këlliçi theksoi: “Duhet të shfrytëzojmë çdo medium të mundshëm për të bërë opozitë dhe për të qenë në krah të qytetarëve. Unë vetë kam votuar pro djegies së mandateve në ato rrethana, por ngjarjet më pas treguan se morëm një kosto jo të vogël. Ka ardhur momenti edhe për një analizë për vendimet e gabuara që kemi marrë”. (A2 Televizion)