
Marrëveshja për Administrimin e Parkut Kombetar te Butrintit ishte në fokusin e interpelancës të kërkuar nga demokratja Ina Zhupa me ministren e Kulturës Elva Margariti.
Deputetja e PD akuzoi qeverinë se po lë në duart e një kompanie private një pasuri kombëtare.
“Nuk e keni shitur se nuk e shisni dot, por e keni lënë në zotërim efektiv të një kompanie, jo vetëm kaq i keni dhënë të trejtat ta regjistrojë atë në kadastër’, tha Ina Zhupa.
Ministrja mohoi akuzat dhe shpjegoi mënyrën si do të funksionojë menaxhimi i parkut kombëtar të Butrintit.
“Butrinti do vazhdojë të jetë pronë e shtetit dhe nuk i jepet asnjë privati. Do të administrohet nga një fondacion shqiptar. Do të monitorohet nga Ministria e Kulturës”, deklaroi ministrja.
Akuzat për ekzistencën e një projekti që parashikon ndërtimin e kullave brenda parkut, Margariti i cilësoi si ëndrra ndërsa Zhupa paralajmëroi betejë në Kushtetuese për këtë çështje.
Sipas ministres, të ardhurat nga menaxhimi i parkut të Butrintit do të shkojnë për mirëmbajtjen e tij, ndërsa deputetja opozitare nuk humbi rastin e batutës. (A2 Televizion)