Interpol refuzon Rusinë, kreu i ri nga Koreja e Jugut

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2018, 13:49 | Bota

Kim Jong-yang, shefi i ri i Interpolit

Interpol zgjodhi koreano jugorin Kim Jong-yang si president të tij, duke refuzuar kandidatin favorit rus Alexander Prokopchuk, i cilin nxiti shqetësime në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara për rrezikun e ndërhyrjeve ruse.

Kim u zgjodh nga 194 shtetet anëtare të organizatës policore ndërkombëtare në mbledhjen vjetore të mbajtur në Dubai.


Alexander Prokopchuk, kandidati rus

Emërimi i tij solli frymëmarrje lehtësimi në perëndim, ku ekzistonte frika se shefi i ri i Interpol mund të ishte kandidati rus, i cili mund të përdorte këtë rol për të shënjestruar kritikët e Putin.

Këta të fundit bashkuan forcat në përpjekjen për të penguar emërimin e Prokopchuk, një veteran i ministrisë së brendshme ruse.

Një nga këto është ish miliarderi rus Mikhail Khodorkovsky, i burgosur në Rusi nga viti 2003 deri në 2014, i cili deklaroi “Jam seriozisht i shqetësuar që nëse Prokopchuk zgjidhet në krye të Interpol, ai do të jetë i gatshëm të ndërmarrë çdo lloj veprimi sipas urdhrave të Kremlinit, pasi ai nuk shqetësohet shumë për reputacionin e tij”.


Mikhail Khodorkovsky

Moska u kundërpërgjigj ndaj asaj që e quajti një fushatë për diskriminimin e kandidatit rus. Zgjedhja e kreut të ri të Interpol erdhi pas arrestimit në kinë të presidentit paraardhës Meng Hongwei, nën hetim për mitmarrje.

Kim Jong-yang, do të udhëheqë organizatën ndërkombëtare përgjatë dy viteve të mbetura të mandatit të Meng. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos