Shqipëria ka një nevojë urgjente për të thithur investime të reja të huaja për të zëvendësuar projektet madhore, TAP dhe Devoll.
Sipas ekspertit për ekonominë, Adrian Civici, punimet për këto dy investime janë drejt përfundimit, çka vihet re tek eksportet e grupit makineri dhe pajisje.
“Kur fillojnë e sjellin makineritë në statistikat tona figurojnë si importe, kur dalin i quajmë eksport. Nëse ne nuk do t’i zëvendësojmë shpejt këto projekte që kanë ndikuar në rritjen ekonomike, të punësimit dhe eksporteve, natyrisht që këto bashke do të ndikojnë në uljen e eksporteve shqiptare”, thotë Civici.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në 2018-ën investimet e huaja direkte shënuan kulmin mbi 1 miliard euro.
Prej vitesh këto investime janë fokusuar në fushën e energjisë dhe gazit natyror, që tashmë konsiderohen të përfunduara.

Qeveria mbështetet për të ardhmen në industrinë nxjerrëse, por ekspertët këshillojnë për thithjen e investimeve në ato fusha që do të rrisnin punësimin dhe do të jepnin një impakt më të madh në ekonomi, si bujqësia dhe turizmi. (A2 Televizion)