
Irani është një nga vendet më të goditura nga pandemia e koronavirusit, me rreth 68 mijë të prekur zyrtarë, dhe 4500 viktima. Por më shumë se për efektet e pandemisë, regjimi i Teheranit është shqetësuar nga kriza ekonomike që rrezikon vendin që përballet me sanksionet amerikane.
Presidenti iranian Hassan Rouhani ka deklaruar në televizionin shtetëror që nga nesër fillon faza e parë e lehtësimit të masave, me fillimin e aktiviteteve që kanë më pak rrezikshmëri, por jo në kryeqytetin Teheran, që do të presë edhe një javë për të marrë “frymë”, gjatë fazës së dytë.
“Nuk dëshirojmë viktima të tjera nga koronavirusi, por nuk duam as të na vdesin njerëzit nga uria”, deklaroi Rouhani.
Pasojat e pandemisë iu shtuan një vendi që po kalon një krizë të madhe ekonomike nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara, me Teheranin që ka kërkuar FMN-së kredi për 5 miliardë dollarë, por që nuk lëvrohen nga veto-ja amerikane.
Edhe nga pikëpamja politike, zërat për një pakënaqësi që shprehet gjithmonë e më hapur nga elitat dhe rinia ka frikësuar regjimin, i cili nuk dëshiron që mungesa e punës dhe e rrogave të jetë shkëndija e një revolte shkatërruese për republikën islamike. (A2 Televizion)