
Admir Thanza, ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, i shkarkuar nga vetingu, kërkon ndihmën e kësaj gjykate për t’i liruar pasuritë e sekuestruara nga SPAK.
Ai ka kundërshtuar vendimet e gjykatave të posaçme që i kanë “ngrirë” një garazh dhe një apartament në zonën e “Komunës së Parisit” në kryeqytet.
Bllokimi i këtyre pasurive të ish-gjyqtarit është bërë për llogari të një hetimi ndaj tij nga SPAK. Ai akuzohet për “deklarim të rremë dhe fshehje pasurie”, me dyshimin se nuk justifikohen në burime të ligjshme.
Thanza u shkarkua nga vetingu në qershor të 2018-es, pasi rezultoi se kishte fshehur një dënim penal në Itali për akuzën e “vjedhjes”. Pas shkarkimit, ai u dënua me 9 muaj burg nga Gjykata e Tiranës, dënim që u konvertua në 18 muaj “shërbim prove”.
Admir Thanza është një nga 10 ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, që po hetohen nga SPAK për pasuri të dyshuara si të pajustifikuara. (A2 Televizion)