
Kosova ka kujtuar dje 14-vjetorin e pavarësisë nga Beogradi, një proces i kryer pas sakrificash dhe plagë ende të pashëruara. Por si i kujton sot ditët e para si të pavarësisë, Skënder Hyseni, ministri i parë i Kosovës së pavarur, i zgjedhur më 3 prill 1998?
“Çdo gjë që i ka paraprirë pavarësisë ka qenë shumë dinamike, e mbushur me obligime dhe me emocione të veçanta. E prisnim një valë njohjesh nga vendet aleate, SHBA, Britani, Itali dhe Shqipëri natyrisht, sepse kishim shpallur pavarësimin në koordinim me këto vende. Por mos harroni se ditën e parë të detyrës, unë kisha vetëm një laptop, më cilësonin si një “laptop ministër”, nuk kisha as godinë as staf. Nuk kishim pasur më parë ministri të jashtme. Ndërtimi i shërbimit diplomatik ka qenë sfidë e madhe, dhe ia dolëm në 9 muaj, duke rekrutuar mbi 250 nëpunës dhe zyrtarë. Ministri i Jashtëm i parë i një vendi është diçka që mund të ndodhë vetëm një herë, ishte përgjegjësi e jashtëzakonshme, por edhe një privilegj. Bënim lobime me vizita të drejtpërdrejta, por kjo nuk ishte e lehtë. Edhe pse kishte gatishmëri nga Tirana zyrtare që të më lëshonin një pasaportë diplomatike shqiptare, nuk preferoja të shkoja me asnjë dokument që nuk ishte i Kosovës, shumë vende nuk i njihnin dhe shpeshherë kam udhëtuar thjesht me një copë letre, në formë lejekalimi”.
Akuzat për krime lufte rëndojnë ende për shumë nga liderët historikë të pavarësisë së Kosovës, duke filluar nga ish-presidenti Thaçi.
“Më vjen keq, është një padrejtësi e madhe që i është bërë Kosovës. Çfarëdo pretendimi për fajësim kolektiv të UÇK dhe Kosovës është nonsens i madh, sepse nuk mund ta gjykosh ushtrinë çlirimtare në kompleks për asnjë rast të vetëm. UÇK ka qenë e përbërë nga grupe të ndryshme luftëtarësh, jo domosdoshmërish ka pasur një komandë të unifikuar”.
Presioni ndërkombëtar, veçanërisht ai që vjen nga Uashingtoni, është i madh për një zgjidhje të ngërçit diplomatik midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Takime ka pasur me presidentë dhe kryeministra serbë. Shpeshherë, veprimet diplomatike të shtyra përpara nga BE-ja janë bërë sa për poza, pa një efekt konkret. Unë refuzoj dialogun sa për të bërë dialog. E shoh jetike dhe urgjente sesa arritja e një marrëveshje të përgjithshme midis vendeve, që patjetër duhet të nënkuptojë njohjen e ndërsjellë”, thotë ish-ministri i Jashtëm kosovar në A2 CNN, që shton një kritikë edhe për Albin Kurtin.
“Kritikoj Kurtin, sepse duhet të përfillen thirrjet e partnerëve si SHBA-ja, që dialogu të përfundojë sa më parë, në mënyrë që Kosova mos të degjeneroi duke shkuar në klubin e vendeve si Palestina dhe Saharaja Perëndimor, që vështirë se bëhen shtet ndonjëherë. Është tavolina ajo ku ti përfaqëson interesat e tua, ikja nga tryeza diplomatike është papërgjegjësi dhe injorim i fakteve, që ky nuk është konflikt vetëm midis Kosovës dhe Serbisë, por të gjithë serbëve dhe gjithë shqiptarëve”, thotë Hyseni. (A2 Televizion)