Kosova, 14 vjet e pavarur, festë dhe homazhe për ‘’Heronjtë e lirisë’’

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2022, 17:21 | Kosova
Kosova, 14 vjet e pavarur, festë dhe homazhe për

Kosova shënoi 14 vjetorit e pavarësisë më një sërë aktivitetesh dhe ceremonish zyrtare. Në praninë e krerëve të lartë të shtetit, presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë bërë ngritjen e flamurit para objektit të Qeverisë.

Më pas, Kuvendi i mbajti një seancë solemne. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se popullit të Kosovës i janë dashur shumë mund dhe sfida për ta arritur lirinë. Ndërsa u bëri homazh atyre që i quajti heronjtë e pavarësisë, Osmani u ndal edhe tek dialogu Kosovë-Serbi që sipas saj do të përfundojë me njohje reciproke.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë rezultat i luftës çlirimtare, kauzës së drejtë për vetëvendosje dhe solidarizimit të  botës demokratike.

Por ai e shfrytëzoi seancën solemne edhe për të përmendur arritjet e qeverisë së tij, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në sferën ekonomikë. Kjo shkaktoi pakënaqësi tek deputetët e opozitës të cilët braktisin sallën. 

Në  14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë parakaluar sot së bashku me Policinë e Kosovës në sheshin “Nëna Tereza”, në Prishtinë.

Aktivitetet nisën që në orët e para të së enjtes. Siç e kërkon tradita liderët dhe përfaqësuesit e partive politike zhvilluan homazhe tek shtatorja e komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari në Prekaz, për t’ju drejtuar më pas monumentit të Zahir Pajazitit në Prishtinë, varrezave të dëshmorëve dhe varrit të Ibrahim Rugovës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos