
Në 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës kanë ardhur mesazhe të shumta nga krerët e shtetit shqiptar, politikanë, si dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Në urimin e tij, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kosovës, ndërsa ajo punon për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj. Blinken nënvizon se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, janë të pakthyeshëm dhe të pacenueshëm.
Në këtë ditë, presidenti Ilir Meta i drejtoi një letër homologes se tij, Vjosa Osmani, ku thekson se Kosova është kthyer në një kontribuese aktive të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë.
Urimeve i është bashkuar edhe kryeministri Rama, i cili sjell përmes një videoje momentet kyçe nga shpallja shtet i pavarur i Kosovës.
Edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, uron Kosovën për pavarësinë me mesazhin: "Kjo ëndërr e bukur lirie, është sot demokracia më e gjallë e rajonit që, pavarësisht vështirësive, gëzon tashmë rrënjët e forta të një shteti me institucione të konsoliduara dhe stabilitet politik", përfundon urimin Basha. (A2 Televizion)