Ishte në kërkim pasi vrau gruan, 55-vjeçari hapi zjarr kundër policisë dhe më pas vret veten

Nga A2 CNN
30 Korrik 2023, 10:48 | Kronikë

Pasi vrau bashkëshorten, Gjergji Mullalli ka vendosur që t’i japë fund jetës. Menjëherë, pas krimit makabër, 55-vjeçari mori “rrugën”, por kjo arrati i zgjati shumë pak. Ai ishte fshehur në një shtëpi të braktisur në të njëjtin fshat ku ndodhi vrasja, Zëmblak dhe sapo ka kuptuar se është rrethuar nga efektivët e policisë ka hapur zjarr ndaj tyre. Mirëpo, ku kuptoi që nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër, Mullalli vendosi që të vritej me të njëjtën armë zjarri që ekzekutoi dhe gruan e tij, me të cilën së bashku kishin 3 fëmijë.

“Pas kërkimeve të pandërprera dhe kontrollit të territorit me qëllim kapjen e shtetasit Gj. M., i cili një ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur lokalizimin në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak, të këtij shtetasi. Sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar nga forcat e Policisë 55-vjeçari, ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë.

Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të  Policisë për t'u dorëzuar, ky shtetas është vetëvrarë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje”, njofton policia.

Trupi i pajetë i Gjergji Mullallit

Pas ngjarjes, babi i viktimës, ka treguar se muajt e fundit, Mullalli ishte shndërruar në një makth për vajzën e tij. Ai rrëfen se Mullalli e ka dhunuar disa herë, e përndiqte, i hynte në shtëpi pa leje deri sa e vrau. E gjitha ka ardhur sepse Mullalli nuk e duronte faktin pse Luiza i kishte kërkuar që të divorcohej.

“Ne ishim në shtëpi më mori djali në telefon për të biseduar, dhe më thotë ‘hajde sepse ajo nuk po më hap telefonin, kush e di çfarë ka ndodhur’. Dhe u ktheva në shtëpi se isha me bagëtitë. Erdha në shtëpi, mora djalin, erdhëm këtu. Lajmëruam policinë, kërkuam këtu vërdallë, derisa e gjetën Policët. E kishin hedhur këtu. Na ndaluan ne pastaj policët nuk na lanë të hynim brenda derisa e morën ata. Kishte, ishte një vit me urdhër mbrojtje. E dhunonte dhe në nëntor ajo kishte marrë urdhër mbrojtje. Një dite kur vajza kishte ardhur nga puna i gjeti dyertë e shtëpive hapur dhe më merr mua në telefon, ‘babi ka hyrë një person brenda në shtëpi, por se kush është nuk e di’. I thash që lajmëro policinë. E lajmëroi, erdhën policët këtu, por se çfarë ëshët bërë më tutje nuk di më. Në fund e kishte ndjekur nja dy tre herë. Ajo ishte ndalur për t’i thënë pse më ndjek nga mbrapa, ai kishte rendur për t’u larguar me vrap. Vajza kërkoi divorcin, sepse e dhunonte gjithnjë ai. Edhe në Greqi kur ishim, edhe këtu e dhunonte gjithnjë ai. Kishte vajtur vajza në Greqi tek e motra për të punuar dhe kur u kthye, ai donte ta mbyste. E goditi, e rrahu, deshi ta vriste. Ndërkohë i kishte shpëtuar çupa, nga duart dhe u largua”, tregon babai.

55-vjeçari punonte në ndërtim, ndërsa viktima ishte e punësuar në një rrobaqepësi në Korçë. Çifti ishin prindër të 3 fëmijëve, 2 vajza dhe një djalë. Ndaj 55-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/30/detaje-nga-vrasja-ne-korce-burri-vrau-gruan-prej-xhelozise/

A2 CNN Livestream

Latest Videos