Italia fiton turneun e bamirësisë, Bogdani shënon golin e parë në stadiumin e ri Kombëtar

Nga A2 CNN
10 Janar 2020, 20:59 | Futboll

Legjendat e Kombëtares italiane fituan turneun e bamirësisë të zhvilluar në stadium Kombëtar, pasi mposhtën në finale Greqinë 1-0.

Shqipëria zbriti në fushën e lojës me emra të mëdhenj, nga Igli Tare te Foto Strakosha, por në gjysmëfinale ndaj Italisë u mposht nga 11-metërshat, pasi koha e rregullt prej 30 minutash u mbyll në barazim 1-1. Mauro Esposito, ish-lojtari i Romës, realizoi golin e parë për Italinë, ndërsa i takoi bomberit Erion Bogdani të shënonte golin e barazimit, por edhe të parin për Shqipërinë në stadiumin e ri Kombëtar. Te penalltitë, decizive rezultoi 11-metërshi i humbur nga Klodian Duro.

Në gjysmëfinalen tjetër, Greqia fitoi 1-0 me Turqinë dhe kaloi në finale ndaj Italisë.

Atmosfera në stadiumin ra ndjeshëm pas eliminimit të Shqipërisë, por mendoi MC Kresha për ta rindezur atë, duke interpretuar dy nga hitet e tij.

Në finale, edhe pse një turne miqësore, ndeshja ishte mjaft e luftuar dhe në fund ishte Italia që triumfoi me një autogol.

Të ardhurat nga ky turne do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos